Ministri Aliti panelist në Konferencën ,,Cybertech Global", në suaza të qëndrimit të punës në Izrael

Tel Aviv, 31 janar 2023

,,Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Hapësirën Kibernetike”, titullohet paneli në të cilin u drejtua Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës - Admirim Aliti, në suaza të konferencës ,,Cybertech Global" - Samiti Ndërkombëtar i Industrisë Kibernetike në Tel Aviv, në të cilin morrën pjesë kompani me renome, përfaqësues të lartë qeveritarë dhe investitorë inovativë të startup-eve në të gjithë sektorët.
 
Ministri Aliti, potencoi se vendi ynë në kontinuitet dhe me shumë përkushtim po punon në zhvillimin e infrastrukturës dhe aftësive mbi sigurinë kibernetike, duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm lidhur me ndërtimin e partneriteteve me subjektet e sektorit privat dhe organizatave ndërkombëtare.

 

,,Në vitet e fundit, filluam me disa aktivitete, siç është Projekti të cilin e kemi me USAID-in për Grupin Punues mbi Sigurinë Kibernetike në Infrastrukturën Kritike dhe qëllimi ynë është për të krijuar 'Agjencinë e Sigurisë Kibernetike', si dhe 'Këshillin e Sigurisë', veçanërisht që në 'Këshillin e Sigurisë' do të kemi anëtarë të sektorit privat, me idenë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave publike dhe private në trajtimin e përbashkët me kërcënimet kibernetike”, theksoi ministri Aliti.

 

Në këndvështrimin e përvojës së tij në këto sfera, ministri Aliti vlerëson se Bashkëpunimi Ndërkombëtar Privato-Publik në domenin e sigurisë është me rëndësi të konsiderueshme në kontekst të trajtimit me sfidat dhe rreziqet të cilat po rriten, nëpërmjet ndarjes reciproke të standardeve të përbashkëta, të përvojave, të informacioneve si dhe praktikave të mira.