Mbahet takimi i bashkëpunimit për sigurinë kibernetike

Shkup, 25 janar 2023

Sot, në hapësirat e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, u mbajt takimi inicial i punës ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë dhe kolonelit Sedric Grousset - Udhëheqës i projektit të Drejtorisë për Bashkëpunim në Sferën e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Evropën të Republikës së Francës dhe znj. Anita Ramadanova - asistente e Atasheut për Siguri të Brendshme në Ambasadën e Republikës së Francës në Shkup.

Koloneli Grousset e prezantoi projektin për krijimin e Qendrës për Ngritjen e Kapaciteteve mbi Sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, e cila do të jetë me seli në Malin e Zi. Ky projekt është rezultat i iniciativës së përbashkët ndërmjet Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë. Letra e synimeve për të krijuar Qendër për Ngritjen e Kapaciteteve të Sigurisë Kibernetike të Ballkanit Perëndimor, me seli në Mal të Zi, u nënshkrua në Podgoricë në mesin e muajit nëntor të vitit 2022 nga Franca, Mali i Zi dhe Sllovenia.

Në prezantimin e tij, z. Grousset theksoi se projekti është i dizajnuar që të zgjerojë bashkëpunimin e Francës me Ballkanin Perëndimor dhe do të ndihmojë në përforcimin e bashkëpunimit rajonal në sferën e sigurisë kibernetike, që është sfidë aktuale në kontekstin aktual. Përveç organizimit të trajnimit të trajnuesëve dhe ekspertëve nga i tërë rajoni, qëllimi i kësaj Qendre do të jetë përforcimi i kapaciteteve operative dhe institucionale të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të trajtimit të kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike. Aktivitetet e trajnimit të Qendrës, të cilat do të bazohen tërësisht në standardet e BE-së, do të përfshijnë krimin kibernetik, sigurinë kibernetike dhe diplomacinë digjitale.

Kjo iniciativë u përshëndet nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe u ofrua gatishmëri e plotë për fillimin e bashkëpunimit të frytshëm lidhur me aktivitetet konkrete. Njëkohësisht, u vu në pah se komponentët e këtij projekti janë tërësisht kompatibile me aktivitetet aktuale dhe të planifikuara të ministrisë në sferën e sigurisë kibernetike, në funksion të parandalimit, trajtimit dhe mbrojtjes. Në këtë kontekst nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës u theksuan aktivitetet e ndërmarra dhe aktuale në nivel nacional dhe në suaza të bashkëpunimit në sferën e sigurisë kibernetike. Në këtë kontekst, veçanërisht u veçua se komponentët e projektit të prezantuar përputhen tërësisht me prioritetet kyçe dhe aktivitetet e Strategjisë aktuale të Sigurisë Kibernetike dhe të Strategjisë së Sigurisë kibernetike të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2023 -2027.

Në takim, përfaqësuesit e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës ishin Drita Murtezani, Dimitar Mançev, Dushica Boshkovska dhe Stanisllav Vasilkovski.