Nënkomiteti i Tetëmbëdhjetë BE – Maqedonia e Veriut për Inovacion, Shoqëri Informatike dhe Politikë Sociale

Takimi i 18-të i Nënkomitetit për Inovacion, Shoqëri Informatike dhe Politikë Sociale, u mbajt më datë 28 prill 2022, kryesues i këtij takimi nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Aliti, ndërsa nga ana e Komisionit Evropian ishte Alberto Cammarata, zëvendës-shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e institucioneve përkatëse iu referuan progresit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në sferat: arsim dhe kulturë, shoqëri informatike dhe media, politikë sociale dhe punësim, si dhe hulumtim dhe politikë inovative.

Ministri Aliti, në fjalën e tij hyrëse, i falënderoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e institucioneve të tjera evropiane, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të vendit tonë dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbetet e përkushtuar në implementimin e reformave kyçe, në organizimin dhe në dialogun efikas me Bashkimin Evropian. Proceset e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbeten prioritet stategjik mbi zhvillimin, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit tonë.

Komisioni i pranoi përpjekjet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për tejkalimin e efekteve nga pandemia në tregun e punës, si dhe në sektorin arimor dhe kulturor, veçanërisht në aspekt të grupeve më të cenuara. E veçoi nevojitjen e rritjes së shpërndarjes financiare për politikat e punësimit, të mbrojtjes sociale, të arsimit, të hulumtimit, të inovacioneve dhe rolin e rëndësishëm të teknologjive digjitale në mbështetjen e ekonomisë dhe në lehtësimin e efekteve nga pandemia.

Ndër të tjera, Komisioni e përshëndeti punën e rëndësishme në sferën e sigurisë kibernetike dhe i inkurajon autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për ta miratuar Strategjinë Nacionale të TIK-ut. Komisioni gjithashtu, veçoi se Maqedonia e Veriut duhet ta harmonizojë legjislacionin e tij me Kodeksin e Komunikimeve Elektronike të BE-së, Direktivën e BE-së mbi reduktimin e shpenzimeve për internetin ‘broadband’ të rrjeteve dhe të informacioneve (NIS).

Konstatimet kyçe dhe konkluzionet e takimit të 18-të, do të jenë prioritet për palët e interesit në procesin e përmbushjes së obligimeve të tyre dhe përafrimit të shteteve drejt proceseve eurointegruese.

 

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës