Shaqiri: Një treg i përbashkët dhe i hapur do ta lidh akoma më tepër rajonin e Ballkanit Perëndimor

Nish, 15 nëntor 2021

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë duke punuar intenzivisht për implementimin efikas të marrëveshjeve, të cilat do të ndihmojnë në arritjen e qëllimit që rajoni ynë të jetë edhe më i lidhur me anë të një tregu të përbashkët dhe të hapur.

Në takimin e punës të realizuar në Nish, morën pjesë grupet e punës nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe nga përfaqësuesit e Institutit të Akreditimit, të Drejtorisë së Doganave, të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektoratit të Bujqësisë, Administratës Fitosanitare, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.

Në mbledhje u përcaktuan hapat e mëtejshëm me të cilët përmes nismës “Ballkan i Hapur” tashmë nga viti i ardhshëm do të mundësohet qasje e lirë në tregun e punës dhe lidhje pa kufi.

“Open Balkan ID” do të ofrojë qasje të lirë në tregun e punës dhe do të lehtësojë importin, eksportin dhe lëvizjen e mallërave në Ballkanin Perëndimor, gjë që hap një sërë përfitimesh për qytetarët në të gjithë rajonin.

 

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës