Deklarata e sekretares shtetërore Mançeva me rastin e Samitit Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 5 tetor 2021

Në vigjilje të Samitit Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili këtë vit për herë të katërt, do të mbahet në Podgoricë prej më datë 11 deri më datë 13 tetor, sekretarja shtetërore e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Elena Mançeva dha deklaratë për mediat malazeze.

Duke folur për rëndësinë e Samitit, sekretarja Mançeva e identifikoi me rëndësinë e fjalës ,,Samit” në gjuhën angleze: si pikën më të lartë, më të rëndësishme ose më të suksesshme të diçkaje, vend për takime, për dialog, për konsultime, për diskutime dhe për bisedime. ,,Pikërisht atje buron rëndësia e pjesëmarrjes në Samitin Digjital, në mundësinë e cila ofrohet për të bashkëpunuar, për të diskutuar, për të shkëmbyer përvoja të rëndësishme dhe për të mësuar njëri prej tjetrit, me qëllim që të jemi më të mirë në të ardhmen”, theksoi sekretarja shtetërore Mançeva.

Kur bëhet fjalë për kontributin, të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut e kishte nga pjesëmarrja në samitet e mëparshme digjitale, Elena Mançeva potencoi se: ,,Samiti i dha fuqi madhore rajonit tonë. Na dha fuqi për ta përshpejtuar transformimin digjital, të garojmë njëri me tjetrin, por edhe t’i japim dorën kur ka nevojë dhe ku duhet. Na dha energji të re, nxitje për realizime të reja dhe na dha mundësinë të mbështesim njëri-tjetrin dhe të kuptojmë se jemi vërtet më të fortë së bashku. Samiti Digjital ishte vendi ku u aprovuan dhe shumë konkluzione e dokumente. Patjetër, më i rëndësishëm ishte dokumenti i Marrëveshjes së roamingut rajonal i nënshkruar nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në vitin 2019-të. Me këtë marrëveshje, qytetarëve të vendeve tona u mundësohet të bisedojnë ose të kërkojnë në Internet nga telefonët e tyre celularë pa shpenzime shtesë kur udhëtojnë në një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mançeva theksoi dhe se secila temë individuale e planifikuar për Samitin Digjital është interesante dhe përfshin shumë segmente të rëndësishme dhe shpreson se këtë rradhë do të dalin më tepër marrëveshje të cilat do të jenë në favor të të gjithëve.