Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, mori pjesë në evenimentin “online” - ,,Dialogjet për Agjendën Digjitale”
Shkup, 30 tetor 2020
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jeton Shaqiri, mori pjesë në evenimentin “online” - ,,Dialogjet për Agjendën Digjitale”, organizuar nga Fondacioni për internet dhe shoqëri Metamorfozis. Në këtë eveniment, u diskutua rreth përfitimeve dhe sfidave nga implementimi i Agjendës digjitale në vendin tonë.
Në fjalimin e tij, minsitri Shaqiri, iu referua aktiviteteve të deritanishme, të cilat MSHIA-ja i ka realizuar në këtë drejtim, si dhe planet të cilat do të realizohen në të ardhmen. Më tej, vuri në pah qëllimet të cilat duhet të realizohen, në koordinim me institucionet e tjera dhe me Qeverinë, siç janë:
- Themelimi i institucionit qendror për koordinim dhe implementim të procesit të digjitalizimit në shoqëri, por edhe të mbështetjes së plotë të TI-së për institucionet shtetërore;
- Sigurimi i zgjidhjes së sistemit adekuat për komunikim të plotë elektronik në suaza të institucioneve dhe ndërmjet tyre;
- Deri në fund të vitit 2021, të mundësohet që më së paku 30% e organeve të administratës shtetërore të kenë vendosur sistemin elektronik për automatizim të procedurave administrative, ndërsa deri në fund të vitit 2021, sistemi të jetë i vendosur në të gjitha organet e administratës shtetërore;
- Implementim i plotë i marrëveshjes me kompaninë botërore "Mastercard" për zhvillim dhe aplikim të çertifikatave inovative digjitale dhe realizim për konfirmim të identitetit;
- Të vazhdohet me hapjen e qendrave ,,Një pikë shërbimi”, në të gjitha qytetet e vendit;
- Përgatitja e Studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrjetit optik kombëtar transportues, deri në fund të vitit 2020-të; dhe
- Deri në fund të vitit 2023, sigurim i mbulimit të plotë të më së paku një qyteti me sinjalin 5G, ndërsa deri në fund të mandatit, mbulim prej 70% në korridorret kyçe dhe në rrjetin rrugor në vend.
Sa i takon synimeve, ministri Shaqiri bëri të ditur dhe Vazhdimin e implementimit të strategjive ekzistuese për Sigurinë kibernetike, si dhe Reformën e administratës publike, ku komponenta e katërt është e lidhur me digjitalizimin, pastaj Strategjia e të dhënave të hapura, e cila do të vendosë qëllime të sakta dhe madhore për transparencë të të gjitha institucioneve dhe personave të tyre kryesues, si dhe finalizimi i Strategjisë Nacionale të TIK-ut, dhe së shpejti implementimin e saj, në koordinim me institucionet relevante.
Në përmbylljen e fjalimit, ministri theksoi edhe avancimin e Aftësive digjitale të popullatës në tërësi me ndihmën e organizatave joqeveritare.


Мinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës




