Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia me çmime më të ulëta në roaming, Mançevski dhe Papas nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit

Shkup, 19 shkurt 2019

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Damjan Mançevski dhe ministri i politikës digjitale, telekomunikacionit dhe mediave të Republikës së Greqisë, Nikollas Papas, në konferencën për shtyp, sot nënshkruan Memorandum mirëkuptimi për uljen e çmimeve në roaming.

Siç theksoi ministri Mançevski, Marrëveshja e Prespës nuk do të thotë vetëm zgjidhje e problemit politik. Me nënshkrimin e marrëveshjes, hapen shumë perspektiva për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve. Kjo është nisma e parë bilaterale, e ndjekur nga të tjerët.

"Mëngjesin e sotëm kemi pasur takim pune me ministrin Papas, drejtorin e AKE Sasho Dimitrioski dhe zëvendësdrejtorin e Komisionit grek për telekomunikacion dhe postë, Spiros Pantelis. Në takim, ne konkluduam se të gjitha pengesat janë hequr dhe se ekziston vullnet politik nga të dyja palët për të thelluar bashkëpunimin. Ne u dakorduam që çmimet maksimale për shërbimet roaming duhet të reduktohen në nivelin e atyre çmimeve të aplikuara në Bashkimin Evropian. Me Memorandumin parashikohet të ketë një ulje dinamike të çmimeve me shumicë dhe pakicë në shërbimet e roamingut. Qëllimi ynë është që në fillim të sezonit të verës, qytetarët e të dy vendeve të ndjejnë të parët uljen e çmimeve. Hapi tjetër është heqja e plotë e roamingut", informoi ministri Mançevski.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu për të dytën ditë dhe kemi pasur mundësi të flasim për të ardhmen. Unë do të doja të theksoj se kemi pasur mikpritje të shkëlqyer, e cila dëshmon se ne jemi partnerë strategjikë. Puna e qeverive është që Traktatin e Marrëveshjes së Prespës ta bëjnë Marrëveshje për njerëzit, marrëveshje e cila prodhon rezultate të cilat e përmirësojnë jetën e njerëzve në të dy anët. Marrëveshje që rrit mundësitë për komunikim, transport, mundësi ekonomike. Miku i dashur Damjani tregoi gjëra të veçanta në lidhje me memorandumin që kemi nënshkruar sot, dua edhe unë të konfirmoj në emër të Republikës së Greqisë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, të gjitha masat ligjore dhe të gjitha mjetet, me qëllim që qytetarët e të dy vendeve shumë shpejt dhe para periudhës turistike, të shikojnë reduktimin e faturave të telekomunikimit. Gjithashtu dua të them se është e qartë se trupat rregullatorë të të dy anëve janë të gatshëm për ta vënë në fuqi, për t’i zbatuar ligjet të tilla ashtu siç janë përgatitur ose nëse është e nevojshme, të harmonizohen për ta arritur këtë marrëveshje. Kjo vizitë ishte shumë me dobi dhe kemi pasur mundësi për të folur edhe për shumë çështje të tjera", potencoi ministri Papas.

Maqedonia Veriore tashmë ka përvojë nga përfitimet që vijnë nga ulja e çmimeve në roaming. Lidhja e marrëveshjes me Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën ka treguar se masat e tilla kontribuojnë në vëllim më të madh të trafikut për shërbimet e roamingut, veçanërisht qasjen në internetin mobil në roaming. Pritet që të njëjtat efekte do të arrihen për përdoruesit që do ta vizitojnë Greqinë.

Мinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës