Ministri Mançevski në konferencën ,,Digitalks” në Prishtinë

Prishtinë, 12 tetor 2018

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, iu drejtua panelit ministror me temë: "Ekonomia digjitale - motor për zhvillim ekonomik", që po mbahet dje dhe sot në Prishtinë, Republika e Kosovës.

Duke folur për transformimin digjital si bazë për ekonominë digjitale, Ministri Mançevski u ndal në sfidat e kohës së re dhe në nevojën e riorganizimit si të sektorit publik ashtu dhe atij privat.

"Nga se varet transformimi? Më shpesh nga nevoja, kërkesa, kriza ekonomike ose politike. Këtu e shoh potencialin tonë, këtu në Ballkan. Prandaj jam i bindur se do të jemi në gjendje të jemi drejtuesit e transformimit digjital. Kemi përvojë duke jetuar në një krizë për dekada të tëra. Por, tani kemi energji të re për t'i zgjidhur konfliktet dhe bashkëpunimin. Qytetarët tanë kërkojnë nga ne që të bashkëpunojmë dhe t'u sigurojmë atyre kushte më të mira jetese. Ata kërkojnë shërbime më më të mira, më të lira dhe më efikase. Ne kemi njerëz nga ana jonë, kemi njohuri, kemi potencialin tek të rinjtë tanë. Por ne duhet t'u japim atyre një arsye për të qëndruar këtu. Transformimi digjital është një proces. Proces shumë i shtrenjtë, i cili nuk lë hapësirë për gabime. Qëllimi ynë është i qartë, për t’i maksimizuar mundësitë e ofruara nga teknologjitë e reja për të krijuar një mjedis i cili korrespondon me epokën digjitale, e cila do të sjellë rritje, do t’i rrisë investimet dhe do të krijojë mundësi të reja për bizneset në të gjithë sektorët", theksoi ministri Mançevski.

Siç theksoi ai, nëse sektori privat pranon nevojën për ndryshim, nuk ka asnjë arsye pse sektori publik nuk duhet ta bëjë këtë.

"Riorganizimi administrativ duhet të çojë drejt një klime më të mirë të biznesit, drejt administratës së orientuar drejt qytetarëve. Kjo do të thotë vendosjen e rregullave të reja. Rregullat të cilat në masë të madhe janë ndërmarrë nga sektori privat. Por ato nuk duhet të jetë rregulla që do të çonin në një rregullim të tepruar. Rruga e transformimit digjital nuk është e lehtë. Nevojitet investimi në infrastrukturë, por edhe në burimet njerëzore. Dhe jo vetëm instalimi i hardverit dhe softuerit. Më shpesh, transformimi digjital, do të thotë një ridizajnim i plotë i proceseve. Qeveritë që do të arrijnë sukses në procesin e transformimit digjital do të jenë më të suksesshme. Ekziston vetëm një konstantë në epokën e re digjitale, dhe kjo është vetë ndryshimi. Do të kenë sukses vetëm ata të cilët do të prezantojnë ndryshime në shërbimet e tyre dhe do të përmirësojnë vazhdimisht mënyrën se si bashkëpunojnë me qytetarët dhe bizneset", tha ministri Mançevski.

"Maqedonia e ka filluar rrugën e transformimit digjital. Rezultatet e këtij transformimi do të jenë të dukshme për qytetarët tanë që nga fillimi i vitit 2019-të. Vendosëm regjistrin elektronik të qytetarëve. Portali i ri nacional i e-shërbimeve do të promovohet në fillim të vitit 2019-të. Krijojmë katalog të të gjitha shërbimeve administrative që ofron administrata për qytetarët dhe bizneset. Qytetarët do të jenë në gjendje të marrin informacione në lidhje me cilin do shërbim në një vend. Kemi adoptuar Strategjinë e të Dhënave të hapura. Deri në fund të këtij viti, Portali i të Dhënave të hapura do të vihet në funksion. Qeveria e miratoi Strategjinë për Sigurinë Kibernetike, gjithashtu kemi një draft version të Planit Aksional për zbatimin e tij.

Në këtë kontekst, Maqedonia po aplikon për të qenë nikoqire e Akademisë Rajonale për Sigurinë Kibernetike. Qëllimi ynë është që ky institucion të ofrojë trajnim për punonjësit e sektorit publik nga të gjitha vendet e rajonit. Së bashku me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në bashkëpunim me Komisionin Evropian jemi duke punuar në një plan aksional konkret për t'i ulur çmimet e roaming-ut me vendet e BE-së. Shpresojmë se Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt të bëhen pjesë e marrëveshjes për roamingun rajonal. Maqedonia nënshkroi një marrëveshje dypalëshe për zvogëlimin e kostove të roamingut me Bullgarinë dhe së shpejti do të nënshkruajmë me Greqinë, "përfundoi ministri Mançevski.

Përveç Ministrit Mançevski, në sesionin e panelit ministror fjalim mbajtën edhe Komisionerja e BE-së, për Ekonominë dhe Shoqërinë Digjitale Maria Gabrieli, Besim Begaj, Ministër i Inovacionit dhe Sipërmarrjes së Republikës së Kosovës dhe Senida Mesi, Zëvendës-kryeministre e Republikës së Shqipërisë. 

Digitalks

Мinistria për shoqëri informatike dhe administratë